Andrej Cvetanoski
e njeh Shkupin
Këtë verë, disa miq të jashtëm më vizituan në Shkup. Për t'u përgatitur, fillova të mendoj për historinë që doja t'u tregoja – mënyrën se si do të përshkruaja formimin e identitetit të Shkupit. Shkupi, gjatë historisë së tij, ka kaluar nëpër shumë faza të ndërtimit të identitetit të vet: si rezultat i tërmetit shkatërrues në vitin 1963, ose projektit më të fundit Shkupi 2014, apo edhe përpjekjet më të reja nga një grup të rinjsh për të ndërtuar një qytet të bukur.
Andrej nuk e shihte veten si dikush që do të studionte larg. Kjo më dukej e kuptueshme: ai është i lidhur ngushtë me Shkupin (“E dua qytetin tim të vendlindjes!”) – me historinë, vendet për tu shëtitur, dhe mbi të gjitha, me mundësinë për ta zbukuruar atë. Nëse ecni në disa nga rrugët e Shkupit, është e mundur të shihni rezultatet e përpjekjeve artistike të Andrejit dhe miqve të tij.
Skena e grafitit në Shkup përbëhet nga një grup artistësh që gëzojnë mundësinë për të krijuar diçka që të gjithë mund ta shohin. Qëllimi i tyre është të thyejnë monotoninë e qytetit. Mjetet e tyre janë ngjyrat dhe një vizion kreativ. Dhe rezultati: më pak mure të zbrazëta që nuk përcjellin asnjë mesazh.
Sigurisht, jo të gjithë janë të entuziazmuar me këtë lloj kreativiteti të vetë-organizuar (dhe e kuptoj – zakonisht po flasim për hapësira publike!). Por Andrej beson se ky lloj arti vizual është në përputhje me përpjekjet më të gjera, nga të gjitha llojet e artistëve, për të vlerësuar qytetin e tyre të lindjes pavarësisht të metave të tij. Videoja që Andrej na dërgoi përpara intervistës së tij finale nuk kishte një narrativë të vetme. Në vend të kësaj, përfshinte vinjeta të shkurtra nga rrugët e Shkupit, të shoqëruara nga tingujt e “Starogradska 2” (“Qyteti i vjetër 2”) – një këngë nga grupi rap i Shkupit, Zad Agolot (Rreth qoshes). Zgjedhja e këngës nuk ishte rastësore: e gjithë ideja ishte të vendosnim atë që po ndodhte në video (grafitet, takimet) në kontekstin e historisë muzikore dhe artistike të qytetit.
Përveç grafitit dhe muzikës, Andrej është i përkushtuar ndaj filmografisë. Që në shkollën fillore, ai shfaqi interes për bërjen e videove, dhe këtë vit iu dha mundësia të filmonte një film që paraqet shkollën e tij të mesme. Me një grup më shumë se 10 personash – një regjisor, një skenograf, aktorë – Andrej krijoi një film të shkurtër. Tematika e tij? Problemet e përditshme të një të sapoardhuri në Shkup.
Është e vështirë kur një kandidat kaq i integruar në ambientin e tij bëhet pjesë e UWC. Është veçanërisht e vështirë kur kolegji specifik është kaq larg – UWC Li Po Chun në Hong Kong. Andrej re renditi të 15-tin (nga 18!) në listën e tij për shkak të distancës nga Shkupi. Por ai nuk dëshiron të humbasë mundësitë që kolegji do t’i ofrojë: një arsim të serioz në artet vizuale, mundësinë për të takuar miq nga e gjithë bota dhe një mundësi për të përjetuar një qytet të ri, shumë më të madh.
Shkupi dhe Hong Kongu janë qytete të ndryshme, sigurisht. Por Andrej tashmë ka kontribuar në ndërtimin e identitetit të Shkupit – tani është koha të provojë dhe të lërë një shenjë edhe në Hong Kong.
Bobo Stankovikj
Korrik, 2024