Kalo tek përmbajtja ↓

Aleksandar Angelovski

16 August 2024

e di çfarë dëshiron

Në trajnimin tonë për përzgjedhjen, kur i prezantojmë anëtarët e rinj të komitetit me kriteret tona të vlerësimit, shpesh u themi: "vetëm pse kandidati është i ndryshëm nga çfarë ishe ti në moshën 16 vjeçe, nuk do të thotë se nuk është kandidat i mirë!"

Në moshën 16 vjeçare, nuk kisha asnjë ide se çfarë doja të bëhesha. Nëse dikush më pyeste se çfarë doja të bëja në jetë, zakonisht thoja "të flas". Nëse më shtynin më shumë, do të thoja se doja të bëhesha avokat (një karrierë për njerëzit që flasin). Por nuk kisha ndonjë plan më në detaje. Prandaj biseda ime me Aleksandarin mu duk freskuese – sepse ai (në përputhje me kriteret tona të përzgjedhjes!) nuk kishte si të jete edhe më ndryshe prej meje kur isha në moshën e tij.

Aleksandari e di që dëshiron të bëhet mjek. Ai e ka ditur këtë për vite me radhë. Dhe jo vetëm që e di, por është duke punuar drejt këtij qëllimi. Interesi iu ndez nga shikimi i filmave për mjekët, pastaj u rrit duke u bërë anëtar i Kryqit të Kuq dhe, më vonë, duke u pranuar në shkollën e mesme mjekësore. Si pjesë e planprogramit, Aleksandri kalon kohë në repartin e kirurgjisë dhe ndihmon personelin mjekësor. Ai lidh plagët dhe ndihmon në trajtimin e tyre. Ai madje mori pjesë në një operacion për bypass të arteries koronare.

Aleksandri i rrëfen këto përvoja me një qetësi të plotë – jo sepse nuk i interesojnë, por sepse për të kjo nuk është diçka e re. Sigurisht, për mua është diçka e re, por Aleksandri e ka ditur për një kohë të gjatë se dëshiron të bëhet mjek. Prandaj ai ka bërë një plan. Ky plan e çoi fillimisht në shkollën e mesme mjekësore dhe tani po e çon në Norvegji, ku lëndët e tij do të jenë (natyrisht) biologjia, kimia dhe psikologjia. Pas kësaj, planin e ka të shkojë në universitet për të studiuar mjekësinë, pastaj të bëjë specializimin dhe më pas të kthehet në Shtip për t’u bërë kirurg – sepse ai e di që kirurgët janë të nevojshëm.

Nuk dua t'ju lë përshtypjen se Aleksandri nuk është fleksibil. Përkundrazi, ai ka një mori interesash – nga dëgjimi i këngëve franceze, tek shkuarja në palestër, e deri tek marketingu. Ai u rrit në Shtip (“në të njëjtin apartament, në një rrugë pranë parkut – një vend i vogël”), si fëmijë i prindërve që punojnë në industrinë e tekstilit. Ka marrë pjesë në projekte Erasmus, debate, aktivitete të Kryqit të Kuq... Djali është fleksibil me miqtë e tij, në takime e në biseda kafenesh. Por jo me planet e tij. Siç tha ai vetë: “nëse je fleksibil me planet e tua, nuk e di çfarë dëshiron.” Dhe Aleksandar Angelovski e di çfarë dëshiron – thjesht duhet ta realizojë.

Bobo Stankovikj,
Korrik 2024